Uniformat e personalizuara për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, janë dhuruar pasardhësve të tyre si shenjë nderimi për kontributin e tyre. Gjatë ngjarjes “Uniformat e Lirisë”, djali i Jakup Krasniqit dhe bashkëshortja e Rexhep Selimit ndanë emocionet e tyre për pranimin e këtyre uniformave. Organizatori i aktivitetit, Benito Mares, tha se ideja për këtë nismë lindi pas një ceremonie në Skenderaj, ku pa për herë të parë një veteran të veshur me uniformë të tillë. Sipas tij, uniformat përfaqësojnë respekt dhe mirënjohje për krerët e UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Hagë. Gjatë ceremonisë u bë e ditur se më 14 shtator në Hagë do të mbahet një protestë kundër procesit gjyqësor ndaj tyre. Në këtë ngjarje morën pjesë familjarë, miq dhe shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së, duke shprehur solidaritet dhe mbështetje për të akuzuarit.
