Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Gjykatës së Apelit në Hagë për të kërkuar rrëzimin e aktakuzës ndaj tij për pengim të drejtësisë. Kërkesa është dorëzuar më 18 gusht, duke kërkuar anulimin e vendimit të gjykatës dhe shpalljen e gjyqtares paraprake si të paautorizuar për nxjerrjen e aktakuzës. Avokatët e Thaçit pretendojnë se Prokuroria Speciale e ka nisur procedurën në mënyrë të njëanshme, vetëm para një gjyqtari, duke anashkaluar kompetencat e panelit të gjyqtarëve. Ata po ashtu theksojnë se gjyqtarja e caktuar ka ushtruar dy funksione brenda të njëjtit rast, si në fazën hetimore, ashtu edhe si gjyqtare paraprake, gjë që sipas tyre bie ndesh me ligjin. Nga ana tjetër, Gjykata Speciale ka konfirmuar se e njëjta gjyqtare më 18 gusht ka kufizuar vizitat për Thaçin nga 11 persona, pasi Prokuroria kishte paraqitur audioincizime ku thuhej se ai kishte zbuluar informacione konfidenciale. Vizitat e tre vëllezërve të tij nuk janë ndaluar, për shkak të mbështetjes morale që ata i japin, sidomos pas humbjes së babait. Gjykata ka bërë të ditur se kufizimet do të rishikohen çdo tre muaj dhe se ankesa e Thaçit ndaj këtij vendimi nuk është pranuar, pasi konsiderohet e paapelueshme.

Former Kosovo President Hashim Thaci, who resigned and was taken into custody of a war crimes tribunal, appears for the first time before the Kosovo Specialist Chambers in The Hague, Netherlands November 9, 2020. Jerry Lampen/Pool via REUTERS