Një skandal i madh spiunazhi është duke u publikuar nga mediat kroate, i cili lidhet me një vajzë serbe të dyshuar si agjente e shërbimeve sekrete të Beogradit, e cila kishte krijuar lidhje të drejtpërdrejta me zyrën e Kryeministrit të Kosovës dhe atë të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Analisti ushtarak kroat, Ivica Mandiç, tha se bëhet fjalë për një rast shumë serioz, pasi e dyshuara, e identifikuar me inicialet A.M., jo vetëm që kishte lidhje të drejtpërdrejta me politikanë në Prishtinë e Beograd, por edhe me organizata ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Gazeta kroate Večernji List, që po publikon në vazhdimësi detaje për këtë rast, raporton se A.M. ishte rekrutuar nga shërbimet sekrete serbe, të cilat kanë inkurajuar punësimin e serbëve në organizata ndërkombëtare si EULEX dhe UNMIK. Përmes kësaj strategjie, shërbimet serbe dyshohet se siguronin informacione dhe ushtronin ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë, kryesisht në proceset kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gazetarja kroate Sandra Veljkoviç shkruan se e dyshuara është sociologe, e cila gjatë qëndrimit në Kosovë kishte krijuar lidhje me një pilot kroat, pjesëtar i kontingjentit të KFOR-it. Hetuesit kroatë dyshojnë se përmes kësaj lidhjeje janë shkëmbyer edhe informacione të ndjeshme, të cilat përfundonin në duart e politikanëve serbë. Organet kroate kanë nisur hetime të zgjeruara mbi këtë rast, i cili ka ngritur dyshime serioze për shkallën e infiltrimit të shërbimeve serbe në institucionet ndërkombëtare dhe madje edhe në nivelet më të larta të politikës në Kosovë.
