Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj Jana Arsovskës, bashkëautore e një punimi akademik ku akuzohet rëndë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, së bashku me kryeparlamentarin aktual, Dimal Basha. Ramadani tha se pyetja thelbësore është se si e njeh Basha Arsovskën dhe pse ka bashkëpunuar me të në punime shkencore. Sipas tij, e vetmja temë e preokupimit të Arsovskës është krimi i organizuar shqiptar, ndërsa ajo, siç theksoi Ramadani, e interpreton edhe kulturën shqiptare si të lidhur me elemente bazike të krimit të organizuar. Ai theksoi se Arsovska ka zhvilluar një luftë hibride kundër Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, duke e përshkruar Ballkanin vetëm përmes narrativës së krimit të organizuar shqiptar. Për këtë arsye, Ramadani deklaroi se Jana Arsovska i plotëson kushtet që të shpallet person “non grata” në Kosovë dhe Shqipëri.
