Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka sulmuar ashpër kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për qasjen e tyre ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve të saj. Krasniqi ka thënë se, nëse dikush ka pasur “mënyrë jetese” të demonizimit të UÇK-së, ai është Albin Kurti, dhe se çdo individ që i është bashkuar Vetëvendosjes ka përvetësuar të njëjtin mentalitet. Ai ka përmendur edhe kandidaturat e propozuara nga Vetëvendosje për Kryetar të Kuvendit – Albulena Haxhiu, Donika Schwartz dhe Hekuran Murati – duke i cilësuar si persona me qëndrime kundër UÇK-së dhe trashëgimisë së saj. Sipas tij, edhe Kryekuvendari i ri ka artikuluar qëndrime “morbid” ndaj UÇK-së, duke konfirmuar filozofinë e brendshme të Vetëvendosjes: sa më shumë të distancohesh nga UÇK-ja, aq më shpejt ngjitesh në parti. PDK-ja, partia që e pasoi UÇK-në, do ta mbrojë vazhdimisht luftën dhe trashëgiminë e saj, ndërsa turpi mbetet mbi Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin, të cilët sipas tij insistuan në kandidaturën e Dimal Bashës për Kryetar të Kuvendit, të cilin Krasniqi e konsideron të papërshtatshëm për këtë post. Ai ka përfunduar duke theksuar se vota e PDK-së, nuk ishte për individin, por për të garantuar funksionimin institucional dhe për ta ekspozuar publikisht “të vërtetën” rreth Vetëvendosjes dhe udhëheqësve të saj.
