Në kohën kur vendi ndodhet në ngërç institucional dhe qytetarët presin stabilitet, Nisma Socialdemokrate zgjodhi të paraqitet si faktor i gatshëm për dialog, por pa ofruar qartësi mbi përgjegjësinë e saj politike. Deputetja Xhevahire Izmaku, në një deklaratë për media, tha se partia e Fatmir Limajt “nuk ka pasur interes për poste individuale” por vetëm për “marrëveshje funksionale”. Kjo qasje megjithatë ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje: nëse Nisma me të vërtetë ka qenë e përkushtuar për zgjidhjen e ngërçit, pse nuk ka arritur të konkretizojë një shumicë parlamentare dhe pse pranon të mbetet spektatore e një procesi politik që rrezikon ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme? Deklaratat e Izmakut vijnë në kontrast me akuzat e Alternativës, ku Mimoza Kusari-Lila ka zbuluar se Vetëvendosja i kishte ofruar Nismës postin e nënkryetarit të Kuvendit – një detaj që, nëse është i saktë, tregon se refuzimi nuk ka qenë aq i thjeshtë “pa kushte dhe pa paragjykime” siç pretendohet. Në këtë situatë, mes interesave të ngushta partiake dhe kalkulimeve për pozicionim në skenën politike, mbetet qytetari ai që paguan çmimin e bllokadës.
