Privilegjet shtetërore, që nga mbrojtja e afërt me dhjetëra pjesëtarë të policisë, kolonat e xhipave të zinj deri te shpenzimet e mëdha për shkollimin privat të vajzave të saj, duket se janë bërë pjesë e pandashme e jetës së Presidentes Vjosa Osmani. Por, sipas kritikëve, problem i madh është mënyra se si ajo e përdor autoritetin për të sulmuar median, duke i quajtur gazetarët rrezik për familjen e saj. Ngjarja më e fundit – arrestimi i kameramanit Jetmir Muji për shkak se po filmonte rojet presidenciale pranë një shkolle private ku mësojnë vajzat e saj – u cilësua si ndërhyrje e paligjshme dhe dhunë ndaj lirisë së shprehjes. Por debati mori përmasa më të mëdha pas një reagimi publik të vetë Presidentes. Në një status të saj, Osmani akuzoi disa gazetarë si “të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme”, duke u thirrur në të dhëna që, sipas saj, i kishte nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Kjo deklaratë ngriti shqetësime serioze për shantazh publik dhe keqpërdorim të informacionit shtetëror. Gazetari Lirim Mehmetaj e quajti këtë veprim “krim trefish”: Devalvimi i lajmit, Shantazh ndaj mediave, Pranimi i keqpërdorimit të AKI-së – vetë fakti që presidentja referohet në të dhëna të inteligjencës për gazetarët, sipas Mehmetajt, dëshmon për një shkelje të rëndë të ligjit dhe të demokracisë.
