Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka kritikuar ashpër presidenten Vjosa Osmani dhe Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me deklaratat e tyre ndaj Gjykatës Kushtetuese. Ai i ka cilësuar këto veprime si “çmenduri” dhe ka theksuar se sulmojnë funksionimin e institucioneve të shtetit. “Unë si deputet dhe si jurist, vlerësoj se është çmenduri e këtyre njerëzve se çka janë duke bërë. Këso forme të komunikimit, me u çu shtetit me i dal kundër Gjykatës dhe Prokurorisë, as në Tanzani nuk ma merr mendja që ka. Jemi duke kaluar një periudhë të çoroditjes mbarë popullore, e sidomos këtyre që kanë qenë deri tash në pushtet”, ka deklaruar Berisha. Ai komentoi edhe paralajmërimet e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për bojkot dhe protesta nëse nuk respektohet Kushtetuta, duke theksuar se kjo qasje e përfaqësuesve të pushtetit është e papranueshme. “Nuk e di se çfarë iniciative është kjo që të dalin në protestë. Mirëpo si qytetarë dhe si mentalitet, kjo qasje e përfaqësuesve të pushtetit është e papranueshme. Edhe me deklarim, edhe me protestë, jemi kundër sulmeve ndaj shtyllave të shtetit të Kosovës. Këto e plagosin funksionimin e shtetit”, shtoi ai.
