Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka reaguar ndaj raportit “Letërnjoftimi i Komunave 2025” të Institutit GAP, duke theksuar se gjetjet e tij pasqyrojnë problemet reale me të cilat përballen komunat, por që sipas tij burojnë kryesisht nga vendimet e njëanshme të qeverisë qendrore. “Raporti vërteton se problemet kryesore nuk burojnë nga dobësitë e komunave, por nga vendimet e nivelit qendror. Komunat mbajnë barrën e borxheve gjyqësore, të hyrave të ulëta dhe të rënies demografike, të imponuara nga politika dhe ligje të hartuara pa konsultim me to,” deklaroi Ibrahimi. Ai veçoi imponimin e vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore, që sipas tij kanë shkaktuar nxjerrjen e mbi 73.5 milionë eurove vetëm këtë vit nga komunat, duke goditur mbi 40 milionë euro të investimeve kapitale. Nga viti 2022 deri gusht 2025, kjo shumë arrin mbi 236 milionë euro. Ibrahimi kritikoi gjithashtu zvogëlimin e të hyrave vetanake për shkak të ndryshimeve në Ligjin për Tatimin në Pronë, duke theksuar se kjo ka dobësuar aftësinë financiare të komunave për vetëfinancim dhe zhvillim lokal. Për t’u përballur me këto sfida, Asociacioni i Komunave po ndërmerr veprime për të mbrojtur interesin e komunave, duke avokuar për ndryshime ligjore dhe duke bashkëpunuar me donatorë për projekte që nxisin digjitalizim dhe transparencë buxhetore.
