Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si po udhëhiqet procesi i dialogut nga pala kosovare. “E ardhmja e Kosovës nuk mund të negociohet nga njerëz pa legjitimitet politik. Emërimi i Besnik Bislimit për të përfaqësuar vendin në dialog është i gabuar dhe i dëmshëm, sepse ai nuk ka as besimin e qytetarëve dhe as autoritetin që kërkon ky proces,” tha ajo. Musliu-Shoshi theksoi se përfaqësimi në dialog duhet të reflektojë legjitimitetin demokratik dhe seriozitetin shtetëror të Kosovës. “Dialogu me Serbinë është çështje shtetërore dhe kërkon përfaqësim serioz, të bazuar në vullnetin e popullit dhe institucionet e dala nga zgjedhjet. Çdo tentim për ta udhëhequr këtë proces me improvizime individuale dobëson pozitën e Kosovës dhe e komprometon rrugën tonë drejt BE-së e NATO-s,” shtoi deputetja. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011, synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Megjithatë, procesi ka qenë i karakterizuar nga vonesa, moszbatim i marrëveshjeve dhe mungesë konsensusi politik, veçanërisht në Kosovë.
