SBASHK-u, kërkon paga më të larta dhe kushte dinjitoze në arsim

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për mungesën e dialogut dhe mosangazhimin serioz në përmirësimin e kushteve në sektorin e arsimit. Ai tha se mësimdhënësit vazhdojnë të përballen me paga të ulëta, kushte të rënda pune dhe mungesë të teksteve shkollore, ndërkohë që institucionet nuk po ndërmarrin asnjë hap konkret për zgjidhjen e këtyre problemeve. Jasharaj theksoi se ndër kërkesat kryesore të SBASHK-ut janë rritja e pagave dhe nënshkrimi i kontratës kolektive, e cila sipas ligjit duhet të rinovohet çdo tre vjet, por që tash e sa kohë mungon në sektorin e arsimit. “Ne jemi ndër rastet e rralla në Kosovë pa marrëveshje kolektive, pa dialog dhe pa kontratë kolektive. Kjo është e papranueshme”, u shpreh ai. Ai paralajmëroi se sindikata është e gatshme si për dialog, ashtu edhe për veprime sindikale, duke mos përjashtuar as grevën. “Nëse dialogu nuk sjell rezultate, atëherë do të jemi të detyruar të veprojmë sindikalisht”, tha Jasharaj.  “Shkollat tona nuk duhet të funksionojnë ende me shkumësa e shpuza, por të jenë shkolla të shekullit XXI. Nëse nuk kemi ende mundësi për laptopë për nxënësit, të paktën të kemi libra të rinj për ta”, shtoi Jasharaj. Ai kërkoi që institucionet të marrin përgjegjësi dhe të angazhohen seriozisht për një sistem arsimor që i përgjigjet standardeve bashkëkohore, duke e cilësuar gjendjen aktuale si pasqyrë të mungesës së vullnetit politik të Qeverisë.

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Limaj

Fatmir Limaj kërkon dorëheqjen e Dimal Bashës: Ai nuk është kryetar i Kuvendit tim

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, …