AARC: Pezullimi i Dialogut Strategjik është alarmi më i madh për Kosovën

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, ka shprehur shqetësimin e thellë për pezullimin e Dialogut Strategjik midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, duke e cilësuar këtë si një paralajmërim serioz për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe dhe për vetë stabilitetin e vendit. Në deklaratën e tyre, AARC thekson se ky zhvillim duhet të shërbejë si thirrje urgjente për veprim të menjëhershëm për liderët dhe institucionet e Kosovës, duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe rendin kushtetues të vendit, si dhe duke ndërmarrë hapa pa vonesë për funksionalizimin e institucioneve shtetërore. “Për një kohë të gjatë, AARC ka paralajmëruar për një erozion në partneritetin Kosovë–SHBA. Marrëdhëniet diplomatike ndodhen në një pikë të ulët historike, dhe pezullimi i Dialogut Strategjik është shembulli më i fundit dhe më alarmues i këtij përkeqësimi. Ky trend duhet të përmbyset menjëherë. Rindërtimi i besimit dhe partneritetit kërkon koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çdo nivel”, thuhet në reagim. AARC thekson se në praktikë nuk ka sovranitet të qëndrueshëm për Kosovën pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, duke shtuar se mosangazhimi serioz në dialog ka krijuar polarizim të skajshëm në vend, ndërkohë që edhe çështjet e përcaktuara qartë nga Kushtetuta janë shndërruar në mosmarrëveshje të panevojshme ligjore e politike.  “Çështjet e sovranitetit, detyrimeve ndërkombëtare, pavarësisë dhe interesave të tjera jetike të shtetit i përkasin gjithë popullit të Kosovës, jo vetëm një partie apo qeverie të caktuar,” përfundon deklarata e AARC.

Kontrolloni gjithashtu

Charles Kupchan: Pezullimi i Dialogut Strategjik pasojë e veprimeve të Kurtit – SHBA po humb durimin me Kosovën

Eksperti amerikan nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, Charles Kupchan, ka paralajmëruar se …