Ish-ministri dhe profesori universitar, Arsim Bajrami, ka reaguar pas dëshmisë së James Rubin në Hagë, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar për të vërtetuar drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lidershipin politik të ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Rubin sot në Hagë po dëshmon të vërtetën për Hashim Thaçin dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë vetë i pranishëm në takimet që ai ka zhvilluar në Kështjellën e Rambujesë me Thaçin dhe anëtarët e tjerë të delegacionit, kjo përbën një dëshmi të fuqishme për drejtësinë e luftës së UÇK-së dhe rolin politik të Thaçit në ndërtimin e partneritetit strategjik me Perëndimin dhe NATO-n,” ka shkruar Bajrami.
Ai theksoi se trupi gjykues i Dhomave të Specializuara duhet të njohë lidershipin strategjik të Thaçit në procesin e paqes dhe të distancohet nga akuzat e pabazuara të Prokurorisë për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
“Zëri i Rubinit sot para trupit gjykues, në të vërtetë, është edhe zëri i Presidentit Clinton dhe i Sekretares Ollbrajt,” u shpreh Bajrami.