James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, pranoi se në një intervistë në korrik të këtij viti kishte deklaruar se ish-presidenti Hashim Thaçi ishte akuzuar në momentin që po ndërmerrte një marrëveshje me Serbinë.
Rubin gjithashtu tha se Gjykata Speciale është një shembull i drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrollit.
“Tribunali i Kosovës është shembulli i drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrollit. Krijuan një çështje të pabazë kundër udhëheqësit të çështjeve të Kosovës dhe e akuzuan në momentin që po negocionte marrëveshje paqeje me Serbinë, duke e futur në burg. Ai ka qëndruar aty për më shumë se katër vite, ndërkohë që prokuroria nuk ka arritur të mbledhë të gjitha provat e nevojshme për tri vjet e gjysmë, sepse po shpikin ligjin”, u dëgjua të ketë thënë Rubin.
Dëshmitari deklaroi se e kujton mirë këtë intervistë dhe se pjesë të videos janë pranuar si prova materiale.
Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar, ndërsa u bë e ditur se mund të ketë pyetje të tjera që rrjedhin nga përmbledhjet ose deklaratat e dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes, të cilat nuk janë marrë ende. Pace theksoi se kjo do të varet krejtësisht nga deklaratat e tyre.