Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në një takim falënderues mësuesin Gafurr Azemi, me rastin e pensionimit të tij pas një karriere të gjatë mbi katër dekada në arsim.
Gafurr Azemi, e filloi punën si mësues më 1 shtator 1981 në shkollën e Trestenikut, ku dha mësim për disa vite, për të vazhduar më pas në shkollën amë në Sllatinë dhe për 44 vite të jetës së tij Iu përkushtua edukimit dhe arsimit të gjeneratave të shumta.
Në pritjen e organizuar nga kryetari Haliti u theksua se mësuesi Gafurr Azemi përfaqëson shembullin e përkushtimit dhe dashurisë për profesionin, duke lënë gjurmë të pashlyeshme te nxënësit, kolegët dhe në komunitet. Haliti e vlerësoi punën dhe kontributin e tij, duke e quajtur pjesë të pandarë të historisë së arsimit në komunën e Vitisë.
Veç kësaj, vlen të theksohet se mësuesi Gafurr vjen nga një familje me traditë të gjatë në arsim. Babai i tij, Izjadin Azemi, ka qenë mësimdhënës nga viti 1962 deri më 1974, duke dëshmuar kështu një përkushtim familjar për kulturën dhe arsimin shqip edhe në kohët më të vështira.
Në fund të takimit, kryetari Haliti i ndau një mirënjohje për gjithë kontributin e dhënë dhe i uroi shëndet e qetësi në vitet e pensionimit, duke theksuar se puna dhe shembulli i tij do të mbeten frymëzim për gjeneratat e ardhshme.