Në Llugë të Besianës u përurua shtatorja e Afrim Zhitisë: Kujtesë për sakrificën dhe udhërrëfim për të ardhmen

Fshati Llugë, i Besianës u bë sot qendra e një ngjarjeje madhështore për historinë dhe kujtesën kombëtare. Me pjesëmarrjen e qytetarëve, familjarëve të dëshmorit, bashkëluftëtarëve, udhëheqësve institucionalë dhe figurave politike, u bë përurimi i shtatores së heroit të kombit, Afrim Zhitia, si dhe inaugurimi i rinovimit të obeliskut dhe hapësirave përreth. Ceremonia ishte një përkujtesë solemne për jetën, veprën dhe idealin e një prej figurave më emblematike të rezistencës shqiptare në fund të shekullit të kaluar.

Aktiviteti nisi me fjalën përshëndetëse të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili vuri theksin tek trashëgimia e madhe morale e Afrim Zhitisë, duke e cilësuar atë frymëzim për gjeneratat e reja që nuk duhet të harrojnë sakrificat e bëra për liri.

Pas tij, kryetari i Komunës së Besianës, Shpejtim Bulliqi, ai përmendi përkushtimin e institucioneve lokale dhe kontributin e shumë njerëzve që mundësuan ngritjen e shtatores dhe rivitalizimin e hapësirës përreth, duke e quajtur këtë një borxh të shlyer ndaj kujtesës historike.

Një moment emocionues u krijua kur Dardane Zhitia lexoi letrën e vitit 1989 të shkruar nga Afrim Zhitia, drejtuar rinisë shqiptare. Në atë letër, dëshmori i ftonte të rinjtë të mos dorëzoheshin kurrë para padrejtësive, duke shprehur bindjen se liria ishte e paevitueshme, pavarësisht sakrificave. Ky mesazh, i lexuar pas më shumë se tre dekadash, përloti shumë nga të pranishmit.

Një ndër fjalimet më të fuqishme mbajti kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe bashkëveprimtar i Afrim Zhitisë. Ai përshkroi dëshmorin si kryeredaktor të gazetës ilegale “Lajmëtari i Lirisë”, si ideator të organizimit të rezistencës dhe si sekretar organizativ të Lëvizjes Kombëtare. “Ai ishte ideatori që shndërroi rezistencën nga rrugët në një forcë të organizuar për t’u përgjigjur pushtuesve,” theksoi Ahmeti, duke shtuar se përpjekjet për të përshkruar UÇK-në si një organizatë kriminale do të dështojnë, sepse e vërteta e luftës së drejtë të Kosovës nuk mund të zhbëhet.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e lidhi figurën e Afrim Zhitisë me vazhdimësinë e rezistencës që kulmoi me epopeja e Prekazit. “Ne duhet të qëndrojmë të kujdesshëm që kujtesa jonë historike të ruhet, që e kaluara të jetë udhërrëfyes për të ardhmen dhe sa herë që kemi mundësi, ta paraqesim ashtu siç është,” tha Haradinaj, duke nënvizuar se rezistenca e Afrim Zhitisë ishte pjesë e procesit që përshpejtoi çlirimin e Kosovës.

Veprimtari politik Ismet Sylejmani tha: Heroi i Kombit Afrim Zhitia ishte një nga udhëheqësit më të mëdhenj të Lëvizjes Popullore të Kosovës, i pathyeshëm përballë padrejtësive dhe burgimeve. Me vendosmëri e vizion ai drejtoi rrugën ilegale të lirisë, duke u bërë simbol i qëndresës kombëtare. Rënia e tij heroike në Breg të Diellit, bashkë me Fahri Fazliun, u shndërrua në themel të lindjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Përurimi i shtatores së Afrim Zhitisë në Llugë nuk ishte thjesht një akt ceremonial, por një dëshmi se kujtesa e kombit vazhdon të mbahet gjallë përmes veprave dhe shembujve të figurave të saj më të ndritura. Ky përurim shërben jo vetëm për të nderuar një dëshmor që dha gjithçka për lirinë, por edhe për të edukuar brezat e rinj se sakrifica dhe idealet e mëdha janë themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti i lirë i Kosovës.

Në këtë mënyrë, shtatorja e Afrim Zhitisë në Llugë nuk është vetëm një monument prej guri e bronzi, por një simbol i pavdekshëm i rezistencës, i guximit dhe i shpresës për një të ardhme të lirë dhe të drejtë.

Kontrolloni gjithashtu

Xhavit Haliti: BE na sanksionoi, SHBA na braktisi – fajtor për izolimin është Qeveria Kurti

Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për situatën aktuale politike dhe …