Në prag të zgjedhjeve lokale, qeveria e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka ndarë katër milionë euro për komunën e Podujevës, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, për rregullimin e shtratit të lumit Llap. Kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, i cili garon për një mandat të dytë nën siglën e VV-së, ka nënshkruar një memorandum bashkë me ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Bulliqi e ka quajtur këtë investim “hap të fuqishëm për mbrojtje nga vërshimet dhe fatkeqësitë natyrore”, duke e prezantuar si një sukses të përbashkët të qeverisë dhe komunës. Megjithatë, fakti që fondet e mëdha po lëshohen pikërisht në kohë fushate ka ngjallur reagime dhe dyshime mbi motivet politike të këtij vendimi. Për katër vite rresht, shumë komuna në Kosovë janë ankuar për mungesë mbështetjeje financiare nga qeveria Kurti, ndërsa tani një projekt milionësh i shkon pikërisht një komune të udhëhequr nga partia në pushtet. Kritikët e shohin këtë si shembull të përdorimit të parasë publike për avantazh elektoral, duke vënë në pah kontrastin mes premtimeve për barazi mes komunave dhe praktikave selektive në prag zgjedhjesh.
