Institucione të ndryshme zgjedhore nga shtete të ndryshme të botës pritet të vijnë në Kosovë për të vëzhguar nga afër procesin e Zgjedhjeve Lokale të 12 tetorit. Këto delegacione do të ndjekin jo vetëm ditën e votimit, por edhe aspektet organizative dhe teknike të përgatitjes së zgjedhjeve. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se lista e këtyre institucioneve do të publikohet sapo të përfundojnë procedurat e akreditimit. Ai theksoi se KQZ është anëtar me të drejta të plota i Asociacionit të Zyrtarëve Zgjedhorë Botërorë (A-WEB) dhe ka ndërtuar marrëdhënie bashkëpunimi me institucione dhe organizata të specializuara në këtë fushë. Sipas tij, për vëzhguesit ndërkombëtarë është përgatitur një program i posaçëm që do t’u mundësojë të njihen më afër me sistemin zgjedhor të Kosovës dhe praktikat vendore në organizimin e zgjedhjeve. Elezi shtoi se përveç institucioneve të huaja, KQZ është në pritje edhe të aplikimeve nga organizata të tjera që duan të marrin pjesë në monitorimin e këtij procesi.
