Profesori amerikan dhe analisti i njohur i politikës ndërkombëtare, Alon Ben-Meir, ka dhënë një vlerësim kritik mbi zhvillimet politike në Kosovë dhe marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara, duke e quajtur pezullimin e dialogut strategjik një “zgjim të ashpër” për kryeministrin Albin Kurti. Në një opinion të publikuar së fundmi, Ben-Meir thekson se vendimi i Uashingtonit nuk është i pabazë dhe se Kurti nuk ka treguar lidershipin e duhur në një periudhë kur mbështetja e aleatëve ishte jetike për Kosovën. “Kurti dështoi në provën e shtetarisë. Kur një vend përballet me tensione të rritura politike brenda dhe jashtë, shtetaria bëhet jetike për të ardhmen dhe mirëqenien e tij. Deri më tani, Kurti ka dështuar të tregojë shtetari pikërisht kur ishte më e nevojshme,” shkruan Ben-Meir. Ai e cilëson këtë si krizën më serioze në marrëdhëniet Kosovë–ShBA që nga shpallja e pavarësisë më 2008, duke paralajmëruar se humbja e këtij bashkëpunimi e lë vendin të ekspozuar dhe pa mburojë ndërkombëtare. Ben-Meir ndalet edhe te tensionet me Bashkimin Evropian, duke përmendur moszbatimin e marrëveshjeve ndërmjetësuese, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, si dhe qasjen nacionaliste të Kurtit që, sipas tij, ka shpërqendruar qeverisjen nga prioritetet reale: ekonomia, lufta kundër korrupsionit dhe tërheqja e investimeve. Ai kujton se edhe ndërhyrjet e pamenduara të Kurtit në politikën e brendshme amerikane kanë lënë pasoja, sidomos mbështetja publike për Bidenin gjatë fushatës presidenciale 2020, që kishte acaruar administratën Trump.
