Ish-diplomati i shquar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhejms Rubin ka vlerësuar se Qeveria Kurti duhet ta marrë si shembull qeverisjen që kishte bërë më herët Hashim Thaçi. Ai ka shtuar më tutje se kohëve të fundit është bezdisur shumë herë nga Qeveria e Kosovës. “Çfarë kemi mësuar në gjykim në ditët e fundit është se z. Hashim Thaçi ka treguar lidership duke bërë kompromis. Po të kishte dëgjuar Adem Demaçin dhe ekstremistët e tjerë, Kosova do të ishte masakruar, NATO-ja nuk do të kishte intervenuar. Nganjëherë, lidershipi nënkupton kompromis, dhe duhet ta pranoj që vitet e fundit më ka bezdisur qasja e Qeverisë suaj në shumë raste për të kuptuar vlerën e kompromisit për të arritur objektivat,” ka thënë Rubin në Klan Kosova. “Mos e bëni rezultatin perfekt armik të së mirës – kjo është ajo që ka bërë Hashim Thaçi në Rambuje dhe në gatishmërinë për çmilitarizim. Asnjë nga këto nuk ka qenë e lehtë dhe nuk kanë qenë zgjedhje të lehta as për të. Por, duke bërë kompromis, ai ka fituar mbështetjen e Perëndimit. Shpresoj dhe pres që Qeveria e Kosovës do t’i rikthehet këtij kuptimi të diplomacisë ndërkombëtare – dhe ndonjëherë, edhe duke bërë kompromis” ka porositur miku i dëshmuar i vendit tonë, Ish-diplomati i shquar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhejms Rubin.
