Christian Böttcher kritikon bllokadën politike: Vonesat rrezikojnë investimet dhe mirëqenien

Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, ka shprehur kritika të qarta ndaj situatës politike në vend, duke theksuar nevojën për respektimin e Kushtetutës dhe përgjegjësinë institucionale të përfaqësuesve politikë. Në fjalën e tij gjatë Forumit të Energjisë Kosovare dhe Panairit “Green Business Expo 2025”, Böttcher u shpreh se është detyrë e partive politike dhe deputetëve të Kuvendit që të formojnë një qeveri funksionale, në përputhje me Kushtetutën, në mënyrë që vendi të mund të ecë përpara. “Është përgjegjësi e partive dhe e anëtarëve të parlamentit që të përmbushin pritjet e qytetarëve. Kuvendi duhet të konstituohet dhe të formojë një qeveri që e drejton vendin. Dhe nëse konsiderohet se zgjidhja janë zgjedhjet e parakohshme, atëherë kjo rrugë duhet ndjekur”, tha diplomati gjerman. “Çdo ditë vonesë nënkupton humbje reale në para, në vende pune dhe në mirëqenien e ardhshme të qytetarëve”, u shpreh Böttcher. Ngjarja ku Böttcher mbajti këto deklarata, Kosova Energy Forum dhe Green Business Expo 2025, është një platformë dyditore që synon të promovojë diskutimin për energjinë e pastër, sfidat mjedisore dhe mundësitë për zhvillimin e qëndrueshëm në vend.

Kontrolloni gjithashtu

Krasniqi për Lladrovcin: Nuk kam hatër mbetje me askënd, PDK është më e madhe se secili individ

Kryetari i dorëhequr i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka komentuar zhvillimet e fundit …