Bajram Begaj në OKB: Vendi i Kosovës në Asamble mbetet padrejtësisht bosh

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka kërkuar që Kosovës t’i njihet vendi i merituar në OKB, duke theksuar rolin e saj si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. “Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë së saj dhe mbështetja për anëtarësimin në OKB është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës dhe një hap që forcon paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Begaj. Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi se Kosova, 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, ka dëshmuar se është një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, e përkushtuar ndaj stabilitetit, dialogut dhe vlerave demokratike. Begaj kërkoi gjithashtu respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar nevojën për integrim, përdorimin e gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e identitetit kulturor të tyre. Ai kujtoi angazhimin e Shqipërisë në “Paktin për të Ardhmen”, duke theksuar se është koha që fjalët të kthehen në vepra konkrete për paqen, sigurinë, klimën, bashkëpunimin digjital dhe të drejtat e njeriut.

Kontrolloni gjithashtu

SHBA hap “Dialogun Strategjik” me Serbinë – Vuçiq përfiton, Kosova dhe rajoni në rrezik

Beogradi dhe Uashingtoni kanë paralajmëruar nisjen e një “Dialogu Strategjik” për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe. …