Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, një delegacion i Komandës Mbështetëse të FARSH-it, i udhëhequr nga Gjeneral Brigade Aleksandër Pando, zhvilloi një vizitë pune në Komandën e Logjistikës së FSK-së. Delegacioni u prit nga Zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, Kolonel Mehmet Lladrovci, i cili prezantoi arritjet, sfidat dhe prioritetet në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe mjekësore të FSK-së. Në takim u shqyrtuan gjithashtu struktura organizative, detyrat dhe aktivitetet që lidhen me fushën e logjistikës ushtarake. Pjesë e vizitës ishte edhe inspektimi i servisimit të automjeteve të rënda, ku delegacioni shqiptar pati mundësinë të njihet nga afër me kapacitetet e mirëmbajtjes. Të dyja palët rikonfirmuan përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin dhe për të avancuar më tej kapacitetet përmes planeve bilaterale, shkëmbimit të përvojave dhe aplikimit të praktikave më të mira ndërkombëtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
