Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar se ditëve të fundit janë regjistruar fluturime të dyshimta të dronëve mbi pjesën veriore të Kosovës, për të cilat dyshohet fuqishëm se vijnë nga territori i Serbisë. “Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë se po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”, deklaroi Hoxha para mediave. Ai theksoi se kjo situatë paraqet rrezik në zonën kufitare, duke shtuar se qytetarët e Kosovës janë të mbrojtur dhe se institucionet e sigurisë janë në gatishmëri të plotë. Megjithatë, shqetësues mbetet fakti se hapësira ajrore e Kosovës është nën përgjegjësinë e KFOR-it, i cili ende nuk ka dhënë ndonjë reagim zyrtar lidhur me këto provokime flagrante të Serbisë. Provokimet e tilla, përmes përdorimit të mjeteve ajrore pa pilot, paraqesin jo vetëm shkelje të hapësirës ajrore dhe sovranitetit të Kosovës, por edhe një përpjekje të Serbisë për destabilizim të qëllimshëm në veri. Kjo qasje agresive, e cila kalon nën heshtjen e gjatë të faktorit ndërkombëtar, është një alarm serioz për sigurinë rajonale. Telegrafi ka kërkuar përgjigje nga KFOR-i për këtë çështje, por deri në publikimin e këtij lajmi, një reagim i tillë nuk është dhënë.
