Në Maqedoninë e Veriut, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, po shfaqet hapur në garën lokale të 19 tetorit, përmes mbështetjes që po i jep koalicionit shqiptar VLEN. Mbrëmë, në një tubim të këtij koalicioni, foli zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili në emër të Kurtit përcolli mesazhin politik të Vetëvendosjes për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Durmishi e përshëndeti tubimin “në emër të kryeministrit të Kosovës” duke bërë thirrje për unitet politik dhe mbështetje për VLEN-in. Në fjalimin e tij, ai përdori paralele mes zgjedhjeve në Kosovë dhe atyre në Maqedoninë e Veriut, duke thënë: “Në Kosovë votohet më 12 tetor, dhe atje Vetëvendosja është ajo që VLEN. Këtu votohet më 19 tetor, dhe këtu VLEN-i ju. VLEN është forca juaj”. Mesazhi i Durmishit, i ndarë publikisht edhe në rrjetet sociale, shpalosi qartë angazhimin e Vetëvendosjes në mbështetje të këtij koalicioni shqiptar, të cilin ai e cilësoi si “mundësinë që zëri shqiptar të dëgjohet qartë dhe fuqishëm”. Ai shtoi se Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosja “janë me ju: politikisht, kombëtarisht dhe njerëzisht”. Në mbyllje të fjalës së tij, Durmishi përcolli përshëndetjet e Albin Kurtit, duke thënë se ai nuk kishte mundur të ishte i pranishëm në tubim për shkak të vizitës në SHBA.
