Dëshmia e Jock Covey rrëzon narrative e prokurorisë

Në gjykatën speciale në Hagë, dëshmitë e fundit kanë vënë në pikëpyetje qëndrimet e Prokurorisë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshmitari amerikan Jock Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, tha qartë se UÇK-ja, nuk ka funksionuar si një ushtri e centralizuar dhe se komandantët në terren kishin autonomi të plotë. Covey theksoi se UNMIK kurrë nuk e ka trajtuar Hashim Thaçin si komandant ushtarak dhe se ai nuk jepte urdhra mbi strukturat e UÇK-së. Marrëdhënia e Thaçit me komandantët lokalë ishte e ndërlikuar dhe shpesh me mungesë respekti reciprok. Në një takim kyç në shtator 1999, Covey kujtoi se Thaçi nuk foli fare, ndërsa komandantët nuk e shihnin atë si autoritet vendimtar. Edhe pse gjatë seancës u shfaq një dokument ku Thaçi nënshkruante si “komandant i përgjithshëm i UÇK-së”, Covey sqaroi se ky ishte një akt formal në kuadër të procesit të çarmatosjes dhe nuk reflektonte ndonjë pushtet real ushtarak. Sipas tij, kërkesa e Thaçit për leje që disa pjesëtarë të mbanin armë nuk u mor as parasysh nga UNMIK-u, pasi kjo ishte kompetencë e KFOR-it. Në dëshminë e tij, Covey nënvizoi se nuk ka pasur një pasqyrë të qartë të strukturës komanduese të UÇK-së, duke e përshkruar atë më shumë si një lëvizje të decentralizuar se sa një ushtri të rregullt. Këto deklarata mbështesin qëndrimin e mbrojtjes, sipas së cilës Hashim Thaçi nuk kishte autoritet real për të urdhëruar, organizuar apo ndalur akte të dhunës gjatë periudhës së pasluftës. Avokati i tij, Luka Mishetiq, tha se dëshmia e Covey shkon drejtpërdrejt kundër narrativës së Prokurorisë, e cila pretendon një zinxhir komandues të centralizuar nën drejtimin e Thaçit. Ky zhvillim shihet si një goditje për akuzën, ndërsa përkrahësit e UÇK-së e konsiderojnë dëshminë e Covey një vërtetim se Ushtria Çlirimtare nuk ishte një strukturë kriminale, por një lëvizje popullore që vepronte në kushte të jashtëzakonshme lufte.

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …