Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka hedhur dritë mbi fatin e qindra ushtarëve shqiptarë që humbën jetën në rrethana të dyshimta gjatë shërbimit ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ), duke theksuar se këto raste mbeten një plagë e hapur e regjimit kolonialist të Beogradit ndaj shqiptarëve. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kandiq theksoi se Fondi për të Drejtën Humanitare ka mbledhur të dhëna për këta ushtarë, mirëpo arkivat e mbyllura dhe mungesa e transparencës nga shteti serb e bëjnë të pamundur zbardhjen e të vërtetës. “Të dhënat tregojnë për rrethana të çuditshme, ku raportohet për ‘vetëvrasje të dyshuara’ në kazermat e Serbisë. Në disa raste familjet shqiptare nuk e kanë besuar kurrë versionin zyrtar,” tha Kandiq, duke shtuar se vetëm hapja e arkivave shtetërore mund të nxjerrë në pah dimensionin e plotë të abuzimeve. Ajo rikujtoi rastin e vitit 1987, kur Aziz Kelmendi vrau katër ushtarë në Paraqin dhe më pas u raportua i vetëvrarë, ngjarje pas së cilës Beogradi filloi të toleronte shmangien e shërbimit ushtarak nga shqiptarët – një formë tjetër diskriminimi dhe trajtimi kolonial. Kandiq paralajmëroi se shqyrtimi aktual i rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga autoritetet serbe po zgjon frikë të re te shqiptarët në jug të Serbisë, duke dëshmuar se shteti ende nuk është shkëputur nga praktikat represive ndaj tyre.
