Në gjykatën speciale në Hagë, ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit James Peter Covey në gjykimin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Dëshmitari kërkoi të bëjë një koment, por trupi gjykues nuk ia lejoi. Pas daljes së tij nga salla, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, njoftoi se mbrojtja nuk do të jetë në gjendje të përfundojë çështjen deri më 14 nëntor, siç ishte parashikuar, dhe nuk do t’i përmbahen as afatit për dorëzimin e dosjes përfundimtare më 22 dhjetor. Mbrojtja planifikon të paraqesë një kërkesë të përbashkët për shtyrjen e këtyre afateve, pas konsultimeve me Prokurorinë. Ndërkohë, avokati i Veselit, Rodeny Dixon, theksoi se ka ende apelime që duhet të shqyrtohen, duke përfshirë raporte mjeko-ligjore, përgjime dhe dëshmitarë të Rregullës 155, të cilat do të ndikojnë në vendimet për afatet kohore. Me këtë përfundoi seanca e sotme në gjykimin që po zhvillohet në Hagë.
