Lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Ahmeti, ka zbuluar se ka qenë i përgjuar nga shërbimet e sigurisë maqedonase, në kohën kur diskutonte me deputetë për krijimin e Gjykatës Speciale. Në një intervistë për “Euronews Albania”, Ahmeti tha se përgjimet e asaj kohe dëshmojnë qartë qëllimin e tij për të votuar Specialen, jo për të fabrikuar dëshmitarë të rremë, por për të nxjerrë në pah të vërtetën mbi luftën e UÇK-së. “Unë jam i përgjuar nga Maqedonia dhe në ato përgjime shihet qartë se si flas me deputetë për ta votuar Gjykatën Speciale, me qëllimin që e vërteta të dalë në dritë. Jo që ajo të devijojë ose të krijojë dëshmitarë të rremë”, u shpreh Ahmeti. Ai hodhi poshtë akuzat ndaj UÇK-së, duke i cilësuar ato si të fabrikuara nga shërbimet serbe. “Si mund të gjykosh UÇK-në për rastin e Pejës, ku u vranë 9 serbë, kur më pas doli se ishte organizim i vetë shërbimeve serbe? Apo rasti i Martinoviqit, që dhunoi veten dhe akuzoi shqiptarët”, tha ai. Ahmeti theksoi se akuzat e ngritura ndaj shqiptarëve janë pjesë e një fushate të gjatë dezinformimi nga Beogradi, ndërsa qëllimi i UÇK-së ka qenë ndërtimi i një strukture të organizuar për mbrojtje dhe çlirim, edhe pse, sipas tij, dinamikat e kohës nuk lejuan krijimin e një hierarkie të mirëfilltë ushtarake. “Objektivi ynë ka qenë të ndërtojmë një ushtri të organizuar, por nuk arritëm ta realizonim plotësisht, pasi zhvillimet ishin shumë të forta dhe secili vepronte aty ku ndodhej”, deklaroi ai.
