Politika e jashtme e Kosovës mes improvizimit dhe izolimit diplomatik

Vizitat e fundit të udhëheqësve institucionalë të Kosovës në SHBA – presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministres së Jashtme në detyrë Donika Gërvalla-Schwarz – e kanë vënë sërish në pah një mungesë të theksuar të koordinimit dhe strategjisë në politikën e jashtme të vendit. Secili prej tyre udhëtoi me agjendë të veçantë, duke lënë përshtypjen e një diplomacie të fragmentuar, të drejtuar nga interesa individuale më shumë sesa nga objektiva shtetërore të përbashkëta. Sipas politologes Donika Emini, Kosova po funksionon me një politikë të jashtme ad-hoc, të dizajnuar për konsum të brendshëm politik dhe jo për kalkulime serioze në arenën ndërkombëtare. Kjo qasje, sipas saj, e shndërron diplomacinë në instrument elektoral, duke e privuar vendin nga arritja e qëllimeve afatgjata. Edhe më kritik është ish-ambasadori Albert Prenkaj, i cili e përshkruan situatën si një “kakofoni” institucionale që ka rezultuar me humbje të relevancës së Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe me vendosjen e sanksioneve nga partnerët kryesorë perëndimorë. Në një kohë kur rajoni po përballet me tensione të reja gjeopolitike, mungesa e një strategjie të unifikuar përfaqëson një rrezik serioz për Kosovën. Në vend që të kapitalizojë mbështetjen e aleatëve dhe të avancojë agjendën e saj shtetërore, vendi duket se po zhytet në një vetëizolim diplomatik, ku institucionet flasin secila më vete dhe shpeshherë për qëllime të ngushta politike.

Kontrolloni gjithashtu

Maqedonci priti në Prishtinë komandantin e NATO-s në Napoli, diskutohet siguria dhe bashkëpunimi me KFOR-in

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti sot në Prishtinë Komandantin e Forcave të …