Lirimi i parakohshëm i gjeneralit serb Nebojsha Pavkoviç, i dënuar për krime lufte kundër shqiptarëve gjatë vitit 1999, po konsiderohet si një goditje e rëndë ndaj drejtësisë dhe viktimave të luftës në Kosovë. Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, ka thënë se vendimi i Tribunalit të Hagës për ta liruar Pavkoviçin para përfundimit të dënimit është i padrejtë dhe demoralizues për familjet e viktimave. “Gjenerali Pavkoviç, i cili ishte dënuar me 22 vite burgim, është liruar para kohe. Kjo është një fyerje për viktimat, sidomos duke pasur parasysh që ai nuk është dorëzuar me kohë në Hagë, por dy vite më vonë nga Serbia. Kjo është dashur të jetë arsye për moslirimin e tij të hershëm, pavarësisht arsyetimit për gjendjen shëndetësore,” ka theksuar Blakaj. Ai kujtoi edhe rastin e Vojislav Sheshelit, i cili ishte liruar përkohësisht për arsye shëndetësore, por më pas “kurrë nuk u kthye në Hagë për ta mbajtur dënimin e plotë”. Blakaj ka reaguar ashpër edhe ndaj mënyrës se si shteti serb e ka pritur Pavkoviçin pas lirimit, duke e cilësuar si glorifikim të kriminelëve të luftës. “Më e dhimbshme sesa lirimi është mënyra si e trajton Serbia këtë rast. Presidenti Vuçiq e dërgoi aeroplanin zyrtar për ta marrë Pavkoviçin dhe e lavdëroi si hero. Kjo tregon se Serbia nuk është shkëputur nga e kaluara kriminale e luftërave,” u shpreh ai. Sipas Blakajt, Serbia vazhdon t’i mbrojë e t’i nderojë personat e dënuar për krime lufte, gjë që, siç tha ai, cenon dinjitetin e viktimave dhe dëshmon mungesën e reflektimit moral të shtetit serb. “Nëse nuk kanë mundur t’i dënojnë moralisht kriminelët e luftës, së paku do të ishte më dinjitetshme të heshtnin, e jo t’i nderonin publikisht,” përfundoi Blakaj.
