Kandidati për kryetar të Skenderajt në paraqitjen publike ka thënë se Skenderaj po dëshmon edhe një herë besnikërinë e tij ndaj vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe trashëgimisë së saj politike, Partisë Demokratike të Kosovës. Në tubimet e fundit në Polac, Kryshefc, Klinë të Epërme, Marinë e Makërmal, qytetarët shprehën përkrahjen e fuqishme për vizionin zhvillimor të PDK-së dhe përkushtimin e saj për projekte konkrete në shërbim të qytetarëve. Në fjalimet e mbajtura, u theksua se çdo projekt publik në Skenderaj mban vulën e qeverisjeve të PDK-së dhe të liderëve të saj, të cilët sollën zhvillim e investime të prekshme për komunën. Ndërkaq, u kritikua ashpër qeveria aktuale për ndaljen e projekteve jetike si ai i furnizimit me ujë në Brus, që do të zgjidhte problemet shumëvjeçare të furnizimit me ujë në qytet dhe në fshatra. Sipas përfaqësuesve lokalë, Qeveria Kurti ka dështuar të reagojë edhe gjatë fatkeqësisë natyrore të vërshimeve të 19 janarit 2023, duke mos dërguar as Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe pa ofruar kompensim për mbi 10 milionë euro dëme në infrastrukturë publike e private.
