Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka shprehur shqetësim të thellë ndaj një publikimi të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), i cili prezanton të dhëna për vitin 2024 dhe tregon, sipas ASK-së, një “rritje të jashtëzakonshme” të të hyrave nga mërgata dhe tregtia e jashtme, krahasuar me vitin 2014. Në reagimin zyrtar, AKB-ja ka vënë në pikëpyetje metodologjinë e përdorur dhe ka konsideruar krahasimin 10-vjeçar si të pazakontë dhe të paarsyetuar profesionalisht. Sipas AKB-së, ky publikim mund të ketë motivime politike, duke shërbyer për propagandë elektorale në një kohë kur vendi ndodhet në atmosferë zgjedhore. Drejtuesi i AKB-së, Agim Shahini, theksoi:
“ASK ka zgjedhur të krahasojë të dhënat e vitit 2024 me ato të vitit 2014, pa ofruar asnjë arsyetim profesional për këtë zgjedhje. Kjo na bën të besojmë se kemi të bëjmë me një manipulim të qëllimshëm të statistikave, në funksion të propagandës politike.” Sipas AKB-së, prezantimi i rritjes së remitancave si sukses ekonomik është i pasaktë:
“Remitancat janë para të dërguara nga mërgimtarët tanë – qytetarë që janë detyruar të largohen nga vendi për të kërkuar punë dhe jetë më të mirë. Ato nuk janë shenjë e zhvillimit ekonomik, por tregues i mungesës së mundësive në Kosovë.”
