Në një katund arbëresh, në Shën Mitër, (ital. San Demetrio Corone) prej nga ku kishte hedhur vështrimin në drejtim të Arbërisë, gjithmonë me ëndje e dashuri të pa përshkruar, sa herë aty është ndodhur poeti i madh, shkrimtari i shquar e rilindësi ynë i shkëlqyer Jeronim de Rada, ka lindur edhe Francesco Altimari më, 21 shkurt 1955.
Në një shkrim timin të shkurtër për prof. Altimarin kam shkruar: “Njëri nga malet e patundura të albanologjisë sonë është profesor Altimari.”
Atje në atë tokë, ku arbërishtja vazhdonte e vazhdon të ketë jetësi, ku ullinjtë i japin një bukuri të veçantë, e erërat e Arbërisë së lashtë arrijnë , është populluar një fshat, një katund, në të cilin flitet një gjuhë e bekuar e me rrënjët e Arbërisë së lashtë, atje pra në Shën Mitër, ku u dha mësim shumë arbëreshëve Jeronim de Rada, në kolegjin Shën Adriani, atje ku janë shkolluar e frymëzuar edhe shumë bashkëvëllezër të arbëreshëve tanë nga Shqipëria, emra të njohur të historisë e kulturës sonë, si: Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Avni Rrustemi e të tjerë, u le e hodhi shtat edhe Francesco Altimari, një ndër më të ndriturit bij të kulturës arbëreshe dhe një nga zërat më të ndjeshëm të albanologjisë bashkëkohore.
Ai u rrit me tingujt e ëmbël të arbërishtes, me këngët e rrëfimet e tatëmëdhenjve (etërve, gjyshërve) e nanave (gjysheve) pranë vatrave (oxhaqeve) e shesheve arbëreshe, këngë e rrëfime këto që nuk janë të thjeshta, por rënkime shekullore të kujtesës kolektive, një mall i pashuar, një kujtesë e rrënjëve dhe gjakut, e trungut të Arbërisë që i mbajti gjallë arbëreshët edhe pas më shumë se pesëqindepesëdhjetë (550) vitesh.
Ai një pjesë të shkollimit e kreu në Shën Mitër, por studimet i bëri në Universitetin e Kalabrisë dhe e mbaroi fakultetin me sukses të shkëlqyer për letërsi e filozofi, në vitin 1978.
Pas diplomimit, ai filloi punën si mësues i gjuhës shqipe në vitet 1980–1986.
Nga viti akademik 1987–1989, ishte kërkues i konfirmuar (ri cercatore) në gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Kalabrisë; më pas – profesor asociuar, dhe në vitin akademik 1991–1992 u bë profesor me orar të plotë.
Ai ka ligjëruar në universitete të tjera: “L’Orientale” të Napolit (1991–92), në Universitetin del Salento në Lecce (1993–97), në Trieste (2000–2001), në Milano-Cattolica (2004–2016/17) dhe në kuadër të programeve Erasmus, DAAD, me qendra universitare në Gjermani (Mannheim, Munih) dhe Çeki (Pragë).
Veprimtaria e tij përfshinë studime të thelluara në filologjinë shqipe, dialektologji arbëreshe, gjuhësi krahasuese, letërsi shqipe dhe letërsi arbëreshe. Disa nga veprat dhe publikimet e rëndësishme të tij janë:
—Studime mbi letërsinë shqiptare të Rilindjes (1984)
ASHAK
—Ekzili i fjalës – Minoriteti gjuhësor arbëresh në Itali (bashkautor) (1986)
ASHAK
—Dialektet italo-shqiptare (bashkautor) (1994)
ASHAK
—”Bagëti’ e Bujqësija” e Naim Frashërit, botim kritik me përshtatje leksikore (1995)
ASHAK
—Këngët paramilosaoiane të Jeronim de Radës, botim kritik me përshtatje leksikore (1998, 2005)
—Vëzhgime gjuhësore dhe letrare arbëreshe (2002)
ASHAK
—Botime, studime gjuhësore italo-shqiptare (Studia linguistica italo-albanica) (2014) nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
ASHAK
—Artikuj të fundit, si “Progressivo e imminentivo nel sistema verbale dell’albanese d’Italia” (2023).
“Përparim i pashmangshëm në sistemin foljor të shqipes në Itali” (2023).
—Urat e Arbërit , Tiranë, 2015
Altimari duke studiuar thellësisht veprat e Naim Frashërit dhe Jeronim de Radës, ka treguar lidhjet mes letërsisë arbëreshe dhe asaj shqiptare, që në fakt janë pjesë nga njësia e përbashkët kombëtare.
“Nismëtar i kësaj kthese që nxori letërsinë arbëreshe nga kufijtë e ngushtë provincialë dhe futi atë në qerthull të gjerë evropian ishte pikërisht Jeronim De Rada (1814 – 1903), përfaqësuesi më i madh i letërsisë romantike arbëreshe. Me veprimtarinë e tij poliedrike në fushën politike, letrare, publicistike etj., De Rada u bë frymëzuesi dhe udhëheqësi i lëvizjes kulturore të Rilindjes shqiptare.” (Francesco Altimari, libri: “Urat e Arbërit”, faqe 32, Tiranë, 2015)
Po kështu edhe profesor Jup Kastrati ka shkruar për poetin, rilindësin, mësuesin dhe atdhedashësin e madh arbëresh Jeronim de Rada: “Shqipëria – siç kanë shkruar studiues arbëreshë – para se të bëhej një etnitet politik i pavarur, qe një realitet poetik në veprën e Jeronim de Radës…” (Libri: “JERONIM DE RADA” Vepra letrare 1, Tiranë 1987)
Dialektet italo-shqiptare (1994, bashkautor)është një vepër themelore për dialektologjinë arbëreshe.
Altimari bashkë me kolegët e tij përshkruan me hollësi tiparet gjuhësore të të folmeve arbëreshe, duke i krahasuar ato me gegërishten dhe toskërishten. Ky libër i ka dhënë studimeve albanologjike një pasuri të madhe, sidomos gjuhësisë historike të shqipes.
Akademik Altimari është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2006), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (2008)
Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës (2007), pastaj në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë (2013), në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës (2016) dhe Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit (2017).
Në studimet e tij mbi letërsinë e Rilindjes sonë Kombëtare, Altimari ka theksuar lidhjen e ngushtë mes traditës arbëreshe dhe zhvillimeve në Shqipëri. Për të, De Rada nuk është vetëm një poet i madh, por edhe një mendimtar i identitetit kombëtar shqiptar, ndërsa vepra e Naim Frashërit është trajtuar me përpikëri shkencore dhe dashuri filologjike.
“Ne, shqiptarët, duhet ta ruajmë me kujdes gjuhën tonë, si një pishtar të denjë, që të mos na shuajnë erërat armike, që na shpërndanë në dhe të huaj.” Jeronim de Rada, te vepra: “Parimet estetike”, botuar më 1861
Veprimtaria shkencore e prof. Altimarit është një pasuri shumë e madhe edhe për gjuhësinë edhe për letërsinë.
Ai ka theksuar se Rilindja Shqiptare nuk kuptohet dot pa kontributin arbëresh.
Për të, De Rada është një figurë themelore, jo vetëm si poet, por edhe si mendimtar i gjuhës dhe përkatësisë sonë, i lidhjeve të natyrshme gjuhë, letërsi, kulturë, histori dhe dashuri e përkushtim atdhetar.
Në qindra artikuj e konferenca, Altimari ka folur për fatin e arbëreshëve, për gjuhën e tyre si mbamendje e gjallë, për ndikimet e huaja që ajo ka dhe megjithatë mbetet vetvetja.
“Zhvillimi i rrënjëve të lashta kombëtare mori hov gjatë shekullit XVIII me krijimin e dy kolegjeve italo – arbëreshe në Kalabri (1732) dhe Sicili (1734), ku u formuan dhe punuan intelektualë të shquar, klerikë të komuniteteve arbëreshe, të cilët natyrshëm shtruan problemin se si do ta përligjnin të qenit edhe të ndierit shqiptarë…” ( Francesco Altimari “Urat e Arbërit” faqe 136, Tiranë 2015)
Në veprat e tij shkencore, ai gërsheton linguistikën me antropologjinë, historinë me ndjesinë, duke treguar se gjuha është mënyra më e saktë, më shprehëse e ekzistencës së një populli.
Për të, studimi nuk është thjesht analizë, por akt dashurie ndaj atdheut që jeton në fjalë.
Në një kohë kur shumë gjuhë po shuhen, ai punon që shqipja arbëreshe të mos mbetet jehonë, por këngë që vazhdon.
Sot, Francesco Altimari është një emër që përmendet me nderime të veçanta në të gjitha qendrat e studimeve albanologjike.
Në auditorët e Universitetit të Kalabrisë, ku u bë profesor dhe themelues i katedrës së albanologjisë, Altimari i mësoi studentët jo vetëm të dëgjojnë — jo vetëm të lexojnë, jo vetëm të studiojnë, por edhe të jenë të lidhur përgjithmonë me gjuhën, kulturën, rrënjët e të parëve tanë me njëjtësinë arbëreshe e shqiptare, me dashurinë e përkushtimin atdhetar, me lidhjet tona vëllazërore. Ai i mësoi studentët e tij dhe të gjithë ne, siç thoshte e thotë shpesh, “çdo fjalë shqipe ka frymë, dhe kush e dëgjon me zemër, dëgjon historinë e një populli të tërë.”
Për Altimarin, të studiosh gjuhën arbëreshe është të prekësh me dorë vetë historinë.
Ai na mëson se në çdo dialekt, në çdo proverb, në çdo këngë popullore që ka mbijetuar, të shohim një copëz të shpirtit shqiptar që nuk shuhet, ndaj duhet ta ruajmë të pastër e t’ua përcjellim brezave të rinj.
Por përtej titujve e çmimeve, ai mbetet një njeri që i flet gjuhës me përulësi dhe dashuri.
Në leksionet e tij, thotë se çdo fjalë shqipe ka një dritë të saj — dhe detyra e studiuesit është ta ndihmojë atë dritë të mos shuhet kurrë.
Si studiues, prof. Altimari ka ditur të bashkojë saktësinë shkencore me dashurinë që zien në zemrat e atdhedashësve për gjuhën dhe kulturën e arbëreshe – shqiptare përgjithësisht.
Dy nga takimet shumë mbresëlënëse me akademik Fracesco Altimarin
Dua t’i theksoj dy momente shumë mbresëlënëse për mua. Ishte viti 1995. Nuk isha gjendur kurrë më parë përballë një arbëreshi; nuk ia kisha shtrënguar dorën asnjëherë më parë ndonjë arbëreshi. Fati deshi që atëherë të njihja arbëreshin e denjë e të mençur, me dije enciklopedike, me dashuri e fisnikëri arbëreshe. Ky ishte akademiku Francesco Altimari, i cili kishte ardhur në Tiranë, në vitin 1995, për të paraqitur studimin e tij:
“Bagëti e bujqësia” e Naim Frashërit – botim kritik me përshtatje leksikore (1995).
Në ato çaste më rrahu zemra fort; m’u duk sikur po i përqafoja të gjithë vëllezërit e motrat arbëreshe. M’u kujtuan leksionet që kishim bërë për letërsinë arbëreshe, për të folmet arbëreshe; m’u soll e gjallë para syve figura dhe vepra e Jeronim De Radës, e Zef Serembes dhe e shkrimtarëve të tjerë – atyre shpirtrave që u bënë zjarr e flakë për fillimin e një epoke aq të madhe të Historisë së Shqipërisë, të Rilindjes Kombëtare. M’u kujtua dashuria e madhe arbëreshe për rrënjët tona, për Arbërinë e Motin e Madh të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, e shumë të tjera.
Për këtë takim i jam mirënjohës përgjithmonë profesor Ali Xhikut, pedagog dhe ligjërues i dy lëndëve: Letërsia e vjetër shqipe dhe Letërsia e Rilindjes Kombëtare, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë. Profesor Ali Xhikun e aso kohe e takoja shpesh në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës. Ishim takuar e po pinim kafe në një nga lokalet përballë bibliotekës, kur më tha se do të takonim profesor Altimarin, meqë do të paraqiste një studim shkencor për Naim Frashërin.
Një moment tjetër shumë mbresëlënës për mua ishte takimi me akademik Altimarin më, 12 shkurt 2018, në katundin Vakarici (Vaccarizzo Albanese), ku po promovohej libri:
“Nazario Sauro – Storia di un Marinaio” nga Romano Sauro dhe Francesco Sauro.
Libri kishte të bënte me patriotin italian Nazario Sauro, i cili i çonte armë kryengritësve shqiptarë. Ai është përuruar në Vakarici (Vaccarizzo Albanese). Aty mori pjesë edhe njëri nga autorët e librit, Romano Sauro, nipi i heroit italian Nazario Sauro, që luftoi kundër austro-hungarezëve. Ai e donte Shqipërinë e lirë dhe pajiste kryengritësit shqiptarë me armë. E donte aq shumë Shqipërinë, sa njërin prej fëmijëve të tij e quajti Albania.
Pasi u promovua libri, kryetari i Bashkisë së Vakaricit, Antonio Pomillo, shtroi një darkë. Më ftuan edhe mua dhe më pritën me ngrohtësi shpirtërore, ashtu siç dinë ta bëjnë vëllezërit për vëllain që vjen nga larg.
Në atë mbrëmje ishin të pranishëm profesor Altimari, autori i librit Romano Sauro, profesorë dhe studiues si prof. Domenico Cassiano, arbëreshë të dashur si Giuseppe Passoni, si dhe mësimdhënësi i gjuhës shqipe dhe i italishtes, Francesco Marchianò, etj.
Në krye të tavolinës ishin ulur profesor Altimari, autori i librit Romano dhe kryetari i bashkisë Antonio. Unë isha pranë profesor Domenico Cassianos, pranë Giuseppes dhe mësimdhënësit Marchianò. Po bisedoja me Zefin (Giuseppe) për disa të dhëna nga Historia e gjuhës shqipe, dhe i thashë se prof. Çabej ka shkruar që emri Dardani vjen nga fjala dardhë. Profesor Altimari, që na dëgjoi, tha se edhe emri Dalmaci vjen nga fjala dele (delme).
U afrova dhe u ula pranë tij; folëm gjatë për shumë çështje gjuhësore e letrare. Natyrisht, kam ruajtur edhe disa fotografi të mrekullueshme si kujtime të asaj nate të paharruar.
Francesco Altimari, Matteo Mandalà, Gaetano Petrotta, Antonino Guzzetta, Giuseppe Belmonte, Francesco Solano e shumë të tjerë nuk janë vetëm gjuhëtarë e studiues arbëreshë, profesorë, por edhe shpirti i përjetësisë arbëreshe në Historinë e Shqipërisë, në kulturën, gjuhësinë dhe letërsinë arbëreshe – shqiptare.
Jam shumë i lumtur që pata mundësinë të shkruaj një artikull që përmban emocione, dashuri vëllazërore, informacione biografike dhe disa shënime shkencore.