Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë të diel në Kosovë, Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, ka bërë një thirrje publike për pjesëmarrje të gjerë qytetare dhe për zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Orav theksoi rëndësinë që ka pjesëmarrja e qytetarëve në votime, duke e konsideruar atë si themel të funksionimit të një demokracie të shëndoshë. “Me zgjedhjet lokale që mbahen këtë të diel, u bëj thirrje të gjithë votuesve me të drejtë vote, pavarësisht përkatësisë etnike apo preferencës partiake, të dalin në votime dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Është thelbësore që procesi të zhvillohet në mënyrë të lirë, të drejtë dhe që vullneti i votuesve të respektohet”, tha Orav. Ai nënvizoi se çdo votë ka rëndësi, duke e cilësuar pjesëmarrjen masive si një akt që forcon shtetin dhe demokracinë e Kosovës. “Pjesëmarrja në votime kontribuon në forcimin e Kosovës si një vend demokratik, dinamik dhe multietnik. Këto zgjedhje janë një moment kyç për demokracinë e vendit dhe një hap i rëndësishëm drejt integrimit evropian”, shtoi ambasadori. Në përfundim, përfaqësuesi i BE-së vlerësoi se mbarëvajtja e procesit zgjedhor do të shërbejë si një provë e pjekurisë demokratike të Kosovës, e cila, nëse kalon me sukses, do t’i hapë rrugë mundësive të reja në raportet me Bashkimin Evropian.
