Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe kandidati për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka folur për zhvillimet e fundit politike dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komunitetet joshumicë. Berisha u shpreh se opozita aktuale po ndikohet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa theksoi se vetë ka kërkuar që t’i “prishen planet” kreut të qeverisë. “Unë jam i pari që kam dalë dhe kam thënë: ‘Hajde ta votojmë Albulena Haxhiun’, pas dy a tri dështimesh, sepse thoja se do ta masim Albin Kurtin. Sepse ai vendoste personazhe të ndryshme dhe bënte humor. P.sh., çka kemi pasur ne të bëjmë gjithë atë betejë me Albulena Haxhiun?”, deklaroi Berisha. Ai shtoi se sjellja politike e Vetëvendosjes, sipas tij, po e zhvendos debatin nga çështjet thelbësore që prekin qytetarët drejt përplasjeve formale e simbolike në Kuvend. Berisha theksoi se opozita duhet të jetë më e bashkërenduar dhe të veprojë me qëllim të ruajtjes së funksionalitetit institucional, jo thjesht si reagim ndaj lëvizjeve politike të pushtetit.
