Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë interpretimet politike se Lista Serbe gëzon të drejtën e “vetos” në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Në aktgjykimin e saj të tretë lidhur me seancën konstituive, Gjykata në pikën 148 saktëson qartë se një e drejtë e tillë nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë sipas Kushtetutës. Sipas vendimit, Lista Serbe nuk ka fuqi bllokuese ndaj procesit të konstituimit. Por, për sa kohë që përfaqësuesit e saj propozojnë kandidatin për Nënkryetar të Kuvendit – post i garantuar për komunitetin serb me Kushtetutë – çdo dështim në përmbylljen e seancës i atribuohet shumicës parlamentare shqiptare. Në të kundërt, po të mos kishte propozim nga Lista Serbe, Kuvendi do të mund të shpallej i konstituuar dhe Kryesia do të funksiononte me kuorum. Ky aktgjykim pritet të mbyllë debatet e nisura muajve të fundit mbi rolin dhe ndikimin e Listës Serbe në procesin e konstituimit të institucioneve të reja të vendit.
