Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka lëshuar një thirrje publike drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të plotë të detyrimeve që burojnë nga ligjet dhe nga Kushtetuta e vendit. Në aktgjykimin e saj Gjykata thekson se çdo pengesë, vonesë apo mungesë bashkëpunimi në përmbushjen e këtyre detyrimeve bie ndesh me frymën e Kushtetutës dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës. “Përderisa funksionimi demokratik i institucioneve shtetërore është përgjegjësi parësore e secilit person të pajisur me autorizime publike, çdo veprim i tyre duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të kontribuojë në mbarëvajtjen e punëve me interes publik për shtetin”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. Sipas saj, respektimi i ndërsjellë ndërmjet institucioneve dhe koordinimi institucional janë thelbësore për ruajtjen e rendit kushtetues dhe forcimin e besimit qytetar në sundimin e ligjit.
