Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka publikuar një fotografi të përbashkët me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët morën pjesë në takimin e radhës të Procesit të Berlinit, mbajtur në Belfast të Mbretërisë së Bashkuar. Në këtë takim morën pjesë edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, si dhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq. Në një postim në platformën “X”, Sorensen vlerësoi kontributin e Mbretërisë së Bashkuar për organizimin e takimit, duke theksuar rëndësinë e procesit të pajtimit mes vendeve të rajonit. “Faleminderit Mbretërisë së Bashkuar për takimin e shkëlqyer të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Belfast sot. Duke diskutuar rëndësinë e pajtimit, dëgjuam zërat dhe përvojat nga Irlanda e Veriut dhe se si normalizimi kërkon durim, këmbëngulje dhe ndërtim besimi”, shkroi Sorensen. Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014, synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të përshpejtojë afrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Çdo vit, ministrat dhe liderët e rajonit takohen në kuadër të këtij procesi për të diskutuar projektet e përbashkëta, marrëveshjet ekonomike dhe iniciativat për stabilitet dhe integrim evropian.
