Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Fatmir Shehollit, nën dyshimin se ka vepruar si i rekrutuar i Shërbimit Inteligjent të Serbisë. Sipas dosjes së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Sheholli dyshohet se ka bashkëpunuar me zyrtarin e BIA-s, Bojan Dimic, duke mbledhur dhe transmetuar informacione për kinse pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë. Hetimet e Prokurorisë zbulojnë se më 26 shtator 2025, në Mitrovicë të Veriut, Sheholli kishte pranuar materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat dyshohet se ishin komprometuese. Po ashtu, ai kishte marrë një shumë parash nga Dimic si shpërblim për publikimin e këtyre materialeve në disa media online. Prokuroria thekson se me këto veprime, Sheholli ka ndihmuar me vetëdije shërbimin sekret serb, duke cenuar sigurinë kombëtare dhe integritetin institucional të Kosovës. Gjatë bastisjeve të Policisë së Kosovës më 9 tetor, në banesën e tij janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumente dhe prova të tjera që po analizohen. Sheholli dyshohet për veprën penale të “Spiunazhit” nga neni 124, paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi
