Gjykata Speciale në Hagë rrëzon kërkesën e Prokurorisë për masa shtesë ndaj Hashim Thaçit

Gjykata Speciale në Hagë ka refuzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për vendosjen e masave shtesë në paraburgim ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria kishte kërkuar kufizime në vizitat e paprivilegjuara të Thaçit, duke pretenduar se ato mund të ndikojnë në pengimin e procesit gjyqësor. Konkretisht, ishte kërkuar që disa persona – mes tyre Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati dhe të tjerë – të mos lejoheshin të vizitonin Thaçin. Megjithatë, trupi gjykues vlerësoi se kërkesa e Prokurorisë nuk është e nevojshme, pasi ndalimet për diskutimin e informacioneve konfidenciale gjatë vizitave janë tashmë të përcaktuara në rregullat ekzistuese. Sipas trupit gjykues, kufizime të tilla do të ishin të pajustifikuara dhe të pazbatueshme në praktikë. Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe bashkë të akuzuarve po vijon me paraqitjen e provave të mbrojtjes, e cila filloi më 15 shtator 2025. Në mesin e dëshmitarëve të dëgjuar deri më tani janë ish-ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Rubin, ish-këshilltari ligjor në Rambuje Paul Williams, si dhe John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik në NATO, dhe James Peter Covey, ish-zyrtar i lartë i OKB-së në Kosovë. Sipas njoftimit të DHSK-së, më 14 nëntor 2025 pritet të përfundojë faza e mbrojtjes, ndërsa deklaratat përfundimtare dhe parashtresat për ndikimin tek viktimat do të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Kontrolloni gjithashtu

Sami Lushtaku prin me përqindjen më të lartë të votave në zgjedhjet lokale 2025

Në zgjedhjet lokale të këtij viti, disa kryetarë komunash kanë siguruar mbështetje të jashtëzakonshme nga …