Gjykata Speciale në Hagë është ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martyt, i miratuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në atë raport, përveç Kosovës, përfshihej edhe territori i Shqipërisë, me pretendimin se në zonat e saj ishte kryer trafikim organesh nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuza që lidheshin me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”.
Sot, ndërsa procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë po i afrohet fundit, është bërë plotësisht e qartë se këto pretendime nuk kanë qenë të vërteta. Në aktakuzën zyrtare të Prokurorisë Speciale nuk ekziston asnjë pretendim për “Shtëpinë e Verdhë”, as për trafikim organesh, dhe asnjë provë nuk ka vërtetuar ndonjë prej akuzave të ngritura në raportin e Martyt.
Kjo do të thotë se vetë themeli mbi të cilin është ndërtuar Gjykata Speciale ka qenë i gabuar dhe i ndërtuar mbi pretendime të rreme. Një raport pa fakte ka shërbyer për të ngritur një gjykatë që për vite me radhë po mban nën akuzë drejtuesit e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
Shqipëria, si shtet anëtar i Këshillit të Evropës, ka sot detyrimin moral dhe politik të kërkojë heqjen e kësaj njolle të padrejtë që rëndon mbi emrin e saj dhe mbi luftën e drejtë të UÇK-së.
Prandaj nesër, në Tiranë, duhet të jemi të gjithë bashkë, nga të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, diaspora dhe vetë Shqipëria.
Le të ngremë zërin bashkë për të vërtetën, për dinjitetin kombëtar dhe për drejtësinë ndaj luftës çlirimtare.
Tirana nesër është zëri i të gjithë shqiptarëve.