Ushtarët e Forcave Speciale nga Kosova, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kroacia kanë zhvilluar një stërvitje të përbashkët ushtarake me qëllim forcimin e aftësive ndërvepruese dhe rritjen e kapaciteteve operacionale ndërmjet forcave aleate dhe partnere. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjenerallejtënant Arben Kingji, bëri të ditur lajmin përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si dëshmi të marrëdhënieve të qëndrueshme dhe besimit të ndërsjellë midis vendeve mike. “Me këtë rast, shpreh urimet më të përzemërta për gjithë personelin e Forcave Speciale me rastin e 27-vjetorit të krijimit,” shkroi Kingji, duke nënvizuar se këto trupa janë “përfaqësues të profesionalizmit, përkushtimit dhe dinjitetit më të lartë të Forcave të Armatosura”. Ai shtoi se Forcat Speciale mbeten burim krenarie kombëtare dhe shtyllë e sigurisë rajonale, duke falënderuar të gjithë pjesëtarët për kontributin e tyre të çmuar në mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe të vlerave të Aleancës. Stërvitja për bashkon përvojat dhe standardet e vendeve aleate, duke dëshmuar se bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe partnerëve strategjikë të NATO-s është më i fortë se kurrë.
