Në fjalimin e tij gjatë protestës mbarëkombëtare në sheshin “Skënderbej”, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, falenderoi qytetarët dhe organizatorët për pritjen e ngrohtë dhe u shpreh mbi rëndësinë e drejtësisë ndërkombëtare për çlirimtarët e Kosovës.
“Faleminderit, Tiranë, na ke trajtuar dhe na ke pritur si nana bijtë. Të nderuar bashkëkombas, jemi bashkë nga Prishtina, Tirana dhe Shkupi. Sot po ngremë zërin për drejtësi, dhe po riafirmojmë miqësinë me Amerikën dhe Evropën,” – tha Ahmeti.
Ai foli edhe për origjinën e Gjykatës Speciale dhe pretendimet që lidhen me raportet për trafikim organesh:
“Zanafilla e Hagës ishte një pretendim i dik Martit për trafikim organesh. Pas verifikimit të hollësishëm u vërtetua se nuk kishte asgjë të vërtetë. Gjykata u themelua nga Kosova për të mos lejuar që Serbia, përmes Rusisë, ta kontrollonte procesin. UÇK-ja asnjëherë nuk ka shkelur ligjet e luftës, dhe kjo u dëshmua edhe në Hagë.”
Ahmeti përfundoi fjalimin duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të ish-krerëve të UÇK-së:
“Liria e Jakupit, Hashimit, Kadriut dhe Rexhepit është e vonuar dhe duhet të vijë sa më shpejt.”
Fjalimi i Ali Ahmetit u prit me duartrokitje të gjata nga turma e mbledhur në shesh, duke forcuar atmosferën e unitetit dhe mbështetjes mbarëkombëtare për çlirimtarët e Kosovës.