Marenglen Kasmi: Çfarë fshihet pas “sulmit” të Vetëvendosjes ndaj kryeministrit Edi Rama?

Reagimet që paraprinë protestën e 17 tetorit në Tiranë kanë nxjerrë në pah një tension të thellë mes politikës së sotme dhe historisë së afërt të Kosovës, konkretisht historisë së Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe trashëgimisë së saj. Qëndrimi i Vetëvendosjes ndaj organizimit të kësaj proteste kombëtare në mbështetej të drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë, e cila e shndërroi mbajtjen e kësaj proteste në një polemikë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me themelimin e kësaj gjykate, është më shumë se një retorikë politike. Akuza se Rama “kishte ardhur me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët që të votonin për Specialen” nuk është thjesht një akt kujtese ndaj së kaluarës, por më tepër një përpjekje për të instrumentalizuar politikisht historinë sipas interesit të momentit.
Nuk vonoi përgjigjja nga kryeministri Edi Rama, qëndrimi i të cilit ndaj protestës “Unë jam UÇK” mund të analizohet si një përpjekje për të ruajtur ekuilibrin midis ndjeshmërisë historike dhe detyrimit institucional. Ai e mbështet protestën në nivel simbolik, por shmang çdo përfshirje që mund ta kthente atë në betejë partiake, e aq më tepër si përfshirje në çështje të brendshme të Kosovës. Kjo vetëpërmbajtje, megjithëse mund të lexohet si kujdes politik, është edhe një mënyrë për të menaxhuar perceptimin publik dhe për të ruajtur kontrollin mbi diskursin.
Në polemikën me Vetëvendosjen, Edi Rama përdor kujtesën historike si instrument komunikimi, duke i kundërvënë qëndrimet e dikurshme të saj me diskursin aktual për UÇK-në.
Por çfarë fshihet pas këtij “sulmi” të Vetëvendosjes ndaj kryeministrit Edi Rama? Për t’i thënë gjërat sa më shkoqur, në thelb të tij qëndron raporti problematik i Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes me trashëgiminë e UÇK-së, dhe me vetë aleancën ndërkombëtare që mundësoi pavarësinë e Kosovës. Siç duket, në këtë rast është vënë në praktikë parimi i vjetër ushtarak se “mbrojtja më e mirë është sulmi”, çka mund të vlerësohet si një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë individuale përmes akuzës, dhe për të dalë kësisoj “faqebardhë” e i moralshëm para shqiptarëve, duke përdorur një retorike ofensive. Duket si një veprim i mirëmenduar politik, por që lexohet lehtë. Kosova gjendet në mes të një krize të rëndë politike, me një qeveri ende të paformuar.
Zgjedhjet komunale të sapozhvilluara e të papërfunduara e pasqyrojnë edhe më qartë krizën politike dhe mbi të gjitha tregojnë rënien e mbështetjes së Vetëvendosjes. Të gjitha këto zhvillime ndodhin në kushtet e një krize të vazhdueshme institucionale, e shoqëruar nga tensione me aleatët perëndimorë dhe në mungesë të plotë të një koordinimi të brendshëm. Kësisoj, kundërshtitë me partnerët ndërkombëtarë, të cilët dikur ishin mbështetësit kryesorë të pavarësisë së Kosovës, i thellojnë edhe më shumë dilemat e kryeministrit Kurti, pasi nga njëra anë atij i duhet të ruajë legjitimitetin e brendshëm dhe nga ana tjetër nuk duhet të humbasë mbështetjen e jashtme. Sa më sipër, është e kuptueshme që vizioni i cunguar politik duhet të zëvendësohet me retorikë patriotike!
Në këtë mjedis, historia e Luftës Çlirimtare të UÇK-së është shndërruar në një terren gare simbolike, ku secila palë përpiqet të përvetësojë moralin dhe përfaqësimin e saj. Dhe në këtë realitet, dikush ndihet komod, dikush tjetër më pak e ndonjë tjetër aspak!
Në fund të viteve 1990, Albin Kurti shërbente si sekretar e përkthyes në zyrën e Adem Demaçit, përfaqësuesit politik të UÇK-së, i cili përfaqësonte linjën e asaj kohe që kërkonte vetëvendosje pa ndërhyrje ndërkombëtare. Kësisoj, ai i konsideronte kushtet e Rambujesë si një kompromis i dëmshëm ndaj popullit kosovar. Dorëheqja e Demaçit më 2 mars 1999 shënoi ndarjen përfundimtare nga drejtimi politik i UÇK-së dhe nga grupi që e mbështeti Rambujenë, si hap të domosdoshëm drejt ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ky qëndrim përcaktoi vijën ndarëse midis idealizmit, realpolitikës dhe pragmatizmit politik brenda skenës politike shqiptare të Kosovës. Rrjedha e ngjarjeve tregoi se Rambujeja, pavarësisht mangësive dhe kundërshtive që ngjalli, ishte momenti vendimtar që hapi rrugën drejt çlirimit të Kosovës.
Siç vëren studiuesi britanik M. Weller, “procesi i Rambujesë synonte të rivendoste qeverisjen autonome dhe të drejtat e njeriut për Kosovën, nën mbrojtjen e bashkësisë ndërkombëtare.” Ky qëllim, i ndërtuar mbi parimin e ndërhyrjes ndërkombëtare për mbrojtjen e popullsisë civile, i dha legjitimitet moral dhe politik aksionit të mëvonshëm të NATO-s.
Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia historike e Rambujesë, pasi ajo shënoi kalimin nga një luftë e izoluar çlirimtare në një çështje ndërkombëtare të drejtësisë dhe të ndërhyrjes humanitare.
Ndërkohë, linja politike që e refuzoi Rambujenë mbeti simbolikisht e pastër, por pa ndonjë meritë në fazën përfundimtare e më të rëndësishme të Luftës së Kosovës. Mesa duket, ky kompleks e ndjek Albin Kurtin edhe sot, duke e vendosur atë midis idealit të dikurshëm dhe realitetit politiko-historik si kryeministër.
Në morinë e gjithë këtyre zhvillimeve, në këto vitet e fundit është kristalizuar qartë edhe një dukuri e re, që mund ta quajmë me plotë gojë si përpjekje për të revizionuar historinë e Kosovës, përfshirë logjikisht edhe atë të UÇK-së. Kjo dukuri shfaqet në dy rrafshe, e para në atë politik dhe e dyta, në diskursin politiko-publik, ndonëse në zëra të veçuar.
Në rrafshin politik kjo dukuri shfaqet edhe në bashkëpunimin e sforcuar të dy qeverive shqiptare, – dhe kjo jo për faj të Tiranës! Artikulimi i tezave të “kombit kosovar” (sigurisht jo në nivel institucionesh), i ndërthurur me ftohtësinë dhe vështirësinë e bashkëpunimit institucional ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës – madje edhe në rrafshin akademik – të lë shijen e hidhur të një qëndrimi të unifikuar në Prishtinë, i cili mbart me vete rrezikun e krijimit të një hendeku të madh ndërmjet dy shteteve të një kombi. Ende nuk mund të flitet për të, por damarët e parë të trungut kombëtar duket sikur tashmë janë prerë. E mira e damarëve është që rigjenerohen, kur tregohet kujdesi i duhur.
Por, shenjat e pasojat mbeten!
Së dyti, në diskursin politiko-publik, por fatkeqësisht ndonjëherë edhe të ndonjë zëri të veçuar akademik, po vërehen përpjekje për të relativizuar rolin e UÇK-së dhe luftës çlirimtare, me qëllim përkufizimin e saj si një lëvizje e fragmentuar dhe për të minimizuar ndikimin e saj real në arritjen e lirisë. Këto përpjekje, të nxitura nga interesa politike apo dëshira për ta rishkruar historinë e shtetit të ri shqiptar, krijojnë një boshllëk të rrezikshëm midis kujtesës historike dhe identitetit kombëtar. Nëse historia e Luftës Çlirimtare të Kosovës i nënshtrohet relativizimit të saj, ajo rrezikon të humbasë vlerën e saj themeluese për shtetin dhe shoqërinë kosovare. Pa folur për përpjekjet për ta kriminalizuar atë, çka do të kishte pasoja katastrofale.
Sa më sipër, është një e vërtetë e pamohueshme historike që UÇK-ja, me gjithë kompleksitetin dhe mangësitë e saj, mbetet bërthama e transformimit historik të Kosovës në një shtet të pavarur. Çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj ishin produkt i ndërthurjes së luftës çlirimtare të UÇK-së nën drejtimin e udhëheqësve e komandantëve të saj, me mobilizimin mbarë popullor shqiptar andej e këndej kufirit dhe sigurisht me mbështetjen diplomatike, politike e sidomos ushtarake të Perëndimit e NATO-s.
Çdo përpjekje për ta ndarë këtë bashkësi në versione të ndryshme sipas nevojës së momentit e dëmton rëndë të vërtetën historike.
Në këtë kontekst, “sulmi” i Vetëvendosjes së Albin Kurtit ndaj Edi Ramës për protestën e 17 tetorit me shumë gjasa nuk lidhet me mosaprovimin e saj si akt qytetar, por me pamundësinë për ta pajtuar pozicionin e Albin Kurtit si politikan e kryeministër me rrënjët e veta ideologjike. Ai është përfaqësues i një shkolle politike që e pa kompromisin si rrezik, ndërsa sot drejton një shtet që ekziston falë atij kompromisi. Kjo kontradiktë e bën të vështirë përfshirjen e tij të sinqertë në debatet për legjitimitetin historik të UÇK-së.
Kështu merr vlerë edhe reagimi i kryeministrit Rama, i cili u shpreh se “… unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”.
Me të drejtë shtrohet pyetja se kujt i shërben ky proces i rishkrimit dhe politizimit të së kaluarës? Kosovës e Shqipërisë jo e jo, pasi e shtjelluam gjatë më sipër. Prandaj mund të themi se nëse tentohet që historia të shndërrohet në një instrument për ruajtjen e pushtetit humbet funksioni i saj edukues dhe përbashkues. Kujtesa e UÇK-së nuk është monopol i asnjë partie apo ideologjie, por pjesë e një trashëgimie që i përket gjithë kombit shqiptar. Mbrojtja e së vërtetës së saj është kusht për stabilitetin politik, institucional, moral e shoqëror të Kosovës.
Dhe në fund disa fjalë për organizimin e protestës. Shembuj të ngjashëm na sjell edhe kujtesa historike. Kur Avni Rustemi po gjykohej në Paris në vitin 1920 për atentatin ndaj Esat Pashë Toptanit, u organizuan shumë mitingje popullore. Nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora iu dërguan gjykatës franceze qindra e mijëra letra e telegrame në mbështetje të tij. Ishte një reagim që nuk kishte peshë ligjore, por që shprehte frymën kombëtare.
Në një mënyrë të ngjashme, protesta e 17 tetorit në Tiranë nuk është kundër drejtësisë ndërkombëtare, por një zë që përpiqet të ndërmjetësojë se drejtësia, pa kontekstin historik e njerëzor e humbet kuptimin e saj. Edhe pse kjo protestë nuk ka për qëllim të ndikojë drejtpërdrejt në punën e Gjykatës Speciale, ajo mbetet një shprehje e ndjenjës së padrejtësisë dhe e solidaritetit kombëtar.
Marenglen Kasmi botuar ne gazeten DITA

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …