Në një deklaratë emocionale analisti dhe diplomati Sylë Ukshini e cilësoi protestën e sotme në Tiranë si një moment historik të unitetit kombëtar dhe të solidaritetit gjithëshqiptar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ukshini theksoi se Shqipëria sërish përqafoi Kosovën, duke treguar se kauza e luftës çlirimtare mbetet e gjallë në ndërgjegjen e çdo shqiptari. “Kjo demonstratë dëshmoi se nuk ka çmim që shqiptarët nuk janë të gatshëm ta paguajnë për të mbrojtur krenarinë e luftës çlirimtare dhe për të kundërshtuar me vendosmëri narrativën serbo-ruse mbi luftën e drejtë të popullit të Kosovës,” – tha ai. Sipas Ukshinit, protesta në Tiranë shënon një kthesë pozitive në ndërgjegjësimin politik dhe kombëtar të shqiptarëve, si dhe një sinergji të re ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, që po e forcon zërin e përbashkët kundër padrejtësive që po përballen luftëtarët e lirisë. Ai kujtoi se kjo ishte vazhdimësi e protestave në Prishtinë dhe Hagë, ndërsa paralajmëroi se fryma e bashkimit do të shtrihet edhe në Shkup, si simbol i një mobilizimi gjithëkombëtar. “Sot, Kosova gjeti përqafimin dhe ngrohtësinë e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Ky është një akt solidariteti i fuqishëm, një dëshmi se shqiptarët janë të bashkuar kur preket nderi dhe e vërteta e luftës së tyre,” – përfundoi Ukshini.