Tema të tjera...
Të dielën, në Hagë mbërriti eskorta e rreth 150 motoristëve shqiptarë, të cilët u nisën nga Prekazi legjendar për një rrugëtim simbolik në përkrahje të luftëtarëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgimin e Hagës. Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ridvan Tahiri, tha se këtij marshimi iu bashkuan të gjithë ata që e ndjejnë veten shqiptarë dhe që duan të nderojnë sakrificën për liri. “Ata që e kanë ndje vetën shqiptar, nuk kanë pritur t’i bashkohen kësaj eskorte”, u shpreh Tahiri. Rrugëtimi i motoristëve nisi nga Prekazi, për të kaluar nëpër varrezat e dëshmorëve në Dukagjin, më pas drejt Durrësit, nga ku udhëtuan me anije drejt Cyrihut e Dyseldorfit, për të përfunduar në Hagë, aty ku po mbahen krerët e UÇK-së. Tahiri theksoi se marshi u zhvillua pa asnjë incident, me disiplinë dhe me ndjenja të larta atdhetarie. Ai kujtoi me emocione emblemën e UÇK-së dhe ditët e luftës, duke thënë: “Kur i kam parë Mujën, Dautin, Rexhën me uniformë e maska, iu luta Zotit që një ditë ta mbaj atë emblemë në krah. Sot e ruaj me krenarinë më të madhe.” Ky marsh simbolik nga Prekazi në Hagë është vlerësuar si një akt i fuqishëm solidariteti dhe respekti për heronjtë e gjallë të lirisë, që po përballen me padrejtësi në emër të luftës çlirimtare të Kosovës.