Kryetari historik i LDK – së, Ibrahim Rugova (pas Luftës Çlirimtare ishte edhe Kryetar i Kosovës unmikiane, vdiq para se Kosova të Shpallte, edhe de jure, Pavarësinë e saj nga Serbia), pati proklamuar dhe promovuar një “zgjidhje pragmatike” për “normalizimin e marrëdhënieve” me Jugoserbinë pushtuese: “KOSOVA E HAPUR NDAJ SERBISË DHE NDAJ SHQIPËRISË”! Nuk po zgjatem këtu me stërhollime e shpjegime për pozitën e rëndë të Kosovës shqiptare në atë kohë dhe për LDK – në dhe Kryetarin e saj historik krejtësisht të pafuqishëm dhe të dorëzuar te” fati” që mund të vinte nga “durimi”, “mjetet dhe rruga paqësore”, mirëkuptimi”, “bashkëpunimi”, “dialogu” me Serbinë pushtuese, etj. Kësaj filozofie dhe politike paqësore-kapitulluese, I. Rugova i qëndroi me “konsekuencë” edhe gjatë Luftës së Armatosur Çlirimtare me Serbinë…
Për dallim nga Ibrahim Rugova, Kryetari historik i LVV – së, Albin Kurti, që nga krijimi i Lëvizjes së tij politike (me të drejtë) ka proklamuar dhe promovuar, jo vetëm me fjalë, por edhe me një aktivizëm radikal: “bashkimin me shtetin tonë, Republikën e Shqipërisë”, “nuk e ka njohur (me të drejtë) Planin e Ahtisarit dhe as derivatin e atij Plani, Kushtetutën Ahtisariane, me shumë ambiguitete dhe zgjidhje të papranueshme për pozitën dhe për ultra të drejtat e pakicës serbe”, “nuk e njihte dhe pranonte (me të drejtë) flamurin multietnik për shtetin e Kosovës”, “e kundërshtoi (me të drejtë) marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, humbjen e mbi 80 km², tokë e Kosovës (sipas kufijve të imponuar krahinor)”, “proklamoi dhe promovoi (me të drejtë) rishikimin e privatizimit – trafikimit të pronës dhe pasurisë së Kosovës”, “nuk i njohu dhe i kundërshtoi, bashkë me tjerët (me të drejtë) marrëveshjet koncesioniste e kapitulluese të Brukselit”, etj. Të gjitha këto para se të vinte në pushtet…
Që nga ardhja e tij në pushtet, dhe jo pak pushtet e fuqi politike (mbi 50 % të votave), Albin Kurti (për dallim nga I. Rugova, që promovonte formulën – zgjidhjen për “një Kosovë të hapur si ndaj Serbisë edhe ndaj Shqipërisë”), jo vetëm ka promovuar, por është angazhuar dhe po angazhohet fuqishëm, duke përdorur, pos rrjeteve sociale, edhe mekanizmat dhe fuqinë që ta jep pushteti shtetëror (këtë fuqi s’e kishte i ndjeri I. Rugova, që ishte veç një Kryetar partie në një tokë të pushtuar) për ta PAVARËSUAR DHE SHKËPUTUR KOSOVËN E SHQIPËRISË NGA TRUNGU I SAJ, NGA REPUBLIKA E SHQIPËRISË!!
Me këtë koncept dhe me këtë “filozofi politike” ala jugokosovarçe, Kryetari historik i LVV – së, Albin Kurti, po e dallon veten edhe nga e gjithë Lëvizja Kombëtare Shqiptare që, platformë unike, synim dhe përcaktim konstant e konsekuent, kishte angazhimin, përpjekjen dhe luftën me penë e me pushkë për çlirimin dhe bashkimin e Shqipërisë (90 000 km²) në një shtet të vetëm… Këtë platformë dhe këtë program e promovoi edhe LPK – UÇK – ja me Luftën e Sakrificën e Madhe… Ky ishte edhe BETIMI i luftëtarit të UÇK-së, e cila erdhi në skenën e luftës dhe luftoi deri në ditën e fundit me Flamurin tonë kuqezi, nuk pati tjetër flamur… ME KËTË BETIM NË MENDJE E NË ZEMËR LUFTOI DHE RA HEROIKISHT (SI ASNJË TJETËR) FAMILJA E MADHE JASHARI… Me Flamurin tonë kuqezi u bë edhe Lufta Çlirimtare e UÇPMB – së dhe e UÇ Kombëtare. Që t’i biem trup e shkurt, këtu dallon Albin Kurti edhe nga i gjithë kombi shqiptar, qysh se është ngjitur në majat e pushtetit shtetëror!!
Cilat janë arsyet e këtij transformimi (shpërfytyrimi) të këtij njeriu nuk i di… Por, e di që, edhe ky, si shumë të tjerë, e ka të humbur davan me kombin shqiptar. Shqiptarët në kushte e rrethana tepër të vështira e tragjike e kanë gjetur gjuhën dhe rrugën e unifikimit dhe kanë ditur t’ua tregojnë derën plangprishësve… Partitë, fetë, organizatat që nuk “korrespondojnë” me vullnetin dhe objektivat e kombit nuk meritojnë përkrahjen e shqiptarëve.
Ikja e Albin Kurtit dhe grupit të tij nga platforma dhe koncepti i LVV – së opozitare i ka detyruar shumë veprimtarë e drejtues të devotshëm të LVV – së të largohen. Anëtarët dhe drejtuesit atdhetarë, që mund të jenë akoma në LVV – në e ldkizuar (si dikur PDK – ja e ldkizuar) kanë përgjegjësi dhe detyrim qytetar, politik e kombëtar që të mbajnë qëndrim dhe të distancohen nga “udhëheqësi karizmatik” që nuk e kupton, ose nuk do ta kuptojë, se të gjitha përpjekjet, sakrificat dhe e gjithë Lufta e Lëvizjes dhe e Luftës sonë Çlirimtare është bër e do të bëhet për pavarësi dhe shkëputje të plotë nga Serbia dhe ndikimi i saj, por JO nga Trungu ynë, sepse dega që pritet – shkëputet nga Trungu do të thahet e do të kalbet…