Në një atmosferë të ngrohtë e festive në Kompleksin “Fetnete Ramosaj”, u mbajt “Dita e Gështenjës”, një festë tashmë tradicionale që organizohet për të shprehur mirënjohjen për frutin e gështenjës, simbol i begatisë dhe bujarisë së kësaj treve.
Në kuadër të këtij manifestimi u organizua panairi i produkteve vendore, ku prodhuesit tanë lokalë prezantuan punën dhe përkushtimin e tyre, si dhe ekspozita e pikturave të artistëve që për tre ditë me radhë qëndruan në Deçan, duke sjellë në telajo bukuritë e natyrës dhe shpirtin e vendit tonë.
Një falënderim i veçantë për piktorët që me krijimtarinë dhe pasionin e tyre e pasuruan këtë ngjarje dhe lanë gjurmë artistike në qytetin e Deçanit.
Këtij aktiviteti iu bashkua edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, së bashku me qytetarë të shumtë që e bënë këtë ditë edhe më të veçantë.
Faleminderit të gjithëve që kontribuan dhe morën pjesë.
Deçani vazhdon të jetë shembull i ruajtjes së traditave dhe promovimit të vlerave lokale, ka shkruar në facebook, kryetari i Deçanit, z. Bashkim Ramosaj.