Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Emigrantëve të Sirisë ka njoftuar sot se Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Në njoftimin zyrtar thuhet se vendimi është marrë pas një takimi trepalësh në kryeqytetin Rijad, ku morën pjesë përfaqësues të Sirisë, Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës së Kosovës. Në këtë takim u shqyrtuan mënyrat për forcimin e marrëdhënieve dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, përfshirë çështjen e njohjes reciproke dhe hapjen e perspektivave të bashkëpunimit dypalësh. “Në këtë kontekst, Republika Arabe e Sirisë shpall njohjen e saj zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u nisur nga besimi në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe nga përkushtimi për forcimin e parimeve të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë,” thuhet në deklaratën e ministrisë. Më tej, Ministria siriane thekson se ky vendim është pjesë e politikës së re të hapjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, që synon forcimin e urave të miqësisë mes popujve dhe shteteve. Në të njëjtën kohë, Damasku ka vlerësuar rolin konstruktiv të Arabisë Saudite në afrimin e palëve dhe në krijimin e kushteve të favorshme për këtë vendim historik. “Republika Arabe e Sirisë pret me padurim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat politike, ekonomike dhe kulturore,” thuhet në fund të njoftimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
